|
Dita e Ashures në botë dhe mes shqiptarëve të Michigan-it
nga Stephen Schwartz http://www.islamicpluralism.org/1110/dita-e-ashures-ne-bote-dhe-mes-shqiptareve-te Detroit – Festa muslimane e njohur si Ashureja ra këtë vit në datën 7 janar (data 10 e Muharremit sipas kalendarit islamik). Ashureja është një festë e shenjtë për muslimanët Shia. Ajo përkujton vdekjen e Imam Huseinit, nipit të Muhametit, në betejën e Karbalas (Qerbelasë) në Irak në vitin 680 kur Huseini dhe mbështetësit e tij u mundën gjatë kryengritjes së tyre për drejtësi kundër tiranit Jezid. Ditën e Ashures, besimtarët shprehin gjithashtu keqardhjen e tyre që shumë prej pasuesve të Huseinit nuk dolën në fushën e betejës për ta mbështetur atë. Pikërisht për shkak të elementëve të pendesës, studjuesit e teologjisë islame kanë gjetur ngjashmëri të kësaj feste me atë të hebrejve Yom Kippur, apo Dita e Dëmshpërblimit. Drama Shia e Ashures dhe Qerbelasë njihen nga një pjesë e botës vetëm nëpërmjet imazheve groteske të përhapura nëpër botë nga televizioni, me besimtarë Shia që vajtojnë vdekjen e Huseinit nganjëherë duke klithur me zë të lartë, me lot që u dalin rrëke nga sytë ndërsa rrahin veten me grushta apo fshikullojnë veten në shenjë pendese. Disa vetërrihen me rripa të bërë nyje, madje edhe gjatë paradave të tyre në New York, të tjerë me zinxhirë, në Bejrut apo Teheran. Në të kaluarën pjesëmarrësit shpesh derdhnin gjakun e tyre duke prerë lëkurën e kokës me shpata. Ndonëse kohët e fundit, klerikët Shia e kanë ndaluar gjakderdhjen, ajo mund ringjallet kur besimtarët e gjejnë veten në situate ekstreme. Në Irak, Saddam Huseini e kishte shtypur festimet fetare Shia dhe pasi ushtarët amerikanë çliruan Varrin e Imamit Husein në Qerbela në vitin 2003, miliona besimtarë Shia vërshuan aty për Ashuren. Ndryshe nga pelegrinazhi i përvitshëm i haxhëve në Mekë, në Arabinë Saudite, që shpesh shoqërohet me zjarre e aksidente të tjera vdekjeprurëse, Shiat në Qerbela ia kanë dalë mbanë që këto tre vitet e para të kryejnë festimet masive pa ndonjë fatkeqësi të kësaj natyre. Nga ana tjetër, pas një ndalimi të gjatë, shumë besimtarë thyen urdhëresën e klerikëve të tyre dhe në ekzaltim e sipër u kthyen te tradita e prerjes së venave. Më pas, Ashurja në Irak, filloi të shoqërohej me dhunën kundër besimtarëve Shia të organizuar nga ekstremistë të Al Qaeda-s apo wahhabistë të nxitur nga Arabia Saudite fqinje. Këtë vit, dy milionë besimtarë udhëtuan në Qerbela. Autoritetet irakene mobilizuan 30,000 ushtarë për t'i mbrojtur dhe njoftuan për një numër sulmesh terroriste që synuan prishjen e organizimit të kësaj ngjarje fetare. Në një nga këto incidente u vranë 38 vetë dhe u plagosën 70 të tjerë, kur një terrorist i veshur si grua hyri në tempullin shia të Imam Musa Kazimit, në 4 janar. Pas kësaj, hyrja e grave në tempull u ndalua. Në 7 janar u arrestua një femër terroriste, me bomba të lidhura poshtë të rrobave të saj ndërsa ishte bashkuar me paradën e besimtarëve Shia që marshonin drejt Qerbelasë. Në Pakistan, autoritetet përforcuan sigurinë lokale për pakicën Shia anëtarët e të cilës janë vrarë në mënyrë të përsëritur ndërsa faleshin në xhamitë e tyre e nëpër rrugë. Po Ashurja ka edhe aspektet e saj të qeta, pas ritualit të vërshimit të dhimbjes, besimtarët mblidhen për të ngrënë së bashku duke e mbyllur zakonisht me një lloj pudingu të ëmbël të bërë me sheqer apo mjaltë, me arra apo kokrra të tjera, fruta të thata, oriz apo grurë. Kjo ëmbëlsirë gjithashtu quhet Ashure dhe shpesh u shpërndahet të varfërve. * * * Komuniteti musliman amerikan përfshin edhe qindra mijëra besimtarë Shia, kryesisht irakenë e shqiptarë me qendër në Michigan. Por ndërsa, arabo-amerikanët dhe pakistano-amerikanët lëshohen pas teatralizmave dhe vetëgjymtimit, shiat e Ballkanit janë më të përmbajtur ashtu si i ka hije një feste të tillë. Veprimtaria e tyre kushtuar Ashures i përngjet më shumë një organizate vëllazërore sesa shpërthimeve emocionale të Lindjes së Mesme. Unë e kalova fundjavën e 10-12 janarit në Detroit për nderimin e përvitshëm të Ashures që u organizua në sallën e madhe të takimeve të Bektashinjve Sufi, një urdhër mistik shqiptar. Jashtë, bora ishte bërë pirg por rrugët ishin të hapura. Brenda, nuk kishte vajtime, ulurima apo rrahje me kamzhik dhe mes qindra burrave e grave që merrnin pjesë nuk dallohej asnjë vello apo mbulime ekstreme për femrat. Shumë imazhe të Huseinit dhe babait të tij Ali, dhëndrit të Muhametit zbukuronin sallën, bashkë me flamurin amerikan. Ceremonia e Ashures ndërmjet Bektashinjve përfshinte edhe një fjalim nga një prift katolik, Atë Anton Kqira i Kishës së Shën Palit në Rochester Hills, Michigan. Ai iu drejtua sallës Sufi si "vëllezër" dhe u pasua nga një përeshëndetje e ngrohtë nga kleriku Sunni i zonës, Imam Shuaipi. Besimtarët Sufi përfaqësoheshin nga udhëheqësi i tyre lokal, i nderuari Baba Arshi Babai nga Shqipëria dhe Baba Edmond Brahimaj, që udhëheq rezistencën Sufi kundër agresionit të esktremistëve islamistë të financuar nga burime që vijnë nga Arabia Saudite. Figura kryesore e komunitetit është Ekrem Bardha, një biznesmen i suksesshëm që ka mbështetur e financuar shumë inisiativa e përpjekje publike për të mirën e përbashkët këtu në Amerikë. Kur Bektashinjtë u organizuan këtu në Michigan, në vitin 1954, themeluesi i qendrës së tyre, Baba Rexheb Beqiri, shkroi për Ashuren e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara se Imam Huseini ishte persekutuar e vrarë në Qerbela sepse ai kishte mbrojtur një qendrim kushtetues kundrejt pushtetit fetar, lirisë dhe mirëqenies së popullit. Huseini, sipas Baba Rexhebit, "mbajti gjallë flamurin e lirisë, prestigjin e demokracisë fetare". Populli u rebelua kundër padrejtësive të pushtetarëve të tij, por uzurpatorët u përgjigjën me "veprime terroriste". Është e jashtëzakonshme largpamësia e këtij mërgimtari bektashian në SHBA lidhur me çështjet kyçe të marrëdhënieve mes Islamit dhe Perëndimit, më shumë se gjysëm-shekulli më parë. Parimi i "demokracisë fetare" – që do të thotë demokracia brenda fesë dhe jo një sistem politik i bazuar në fe – përbën sfidën më të madhe kundër konformizmit në emër të Sharias sot në botën islame. Ndërsa lidhja e veprimeve të tiranëve muslimanë me terrorin zëre se mund të ishte marrë nga gazetat e sotme nëpër botë, më shumë se 50 vjet më vonë. Besimtarët Shia të Ballkanit që u mblodhën në Michigan-in e mbuluar me borë për të nderuar Ditën e Ashures dëshmuan se jeton diku një Islam Amerikan, që është po aq amerikan sa edhe musliman. Pikërisht ky është një pararojë e civilizimit kundër ekstremizmit, një shembull i paqes dhe respektit reciprok ndërmjet feve dhe një shprehje mirënjohjeje për mundësinë për të nderuar një hero musliman në siguri e në liri. Shënim: Teksti në gjuhën angleze i këtij neni është i arritshëm në http://www.islamicpluralism.org/765/ashura-in-america Note: The English-language text of this article is accessible at http://www.islamicpluralism.org/765/ashura-in-america [Përktheu Ruben Avxhiu] Tema të ngjashme: Albanian Muslims, American Muslims, Balkan Muslims, Bektashi Sufis receive the latest by email: subscribe to the free center for islamic pluralism mailing list |
Latest Articles |
|||
© 2025 Center for Islamic Pluralism. home | articles | announcements | spoken | wahhabiwatch | about us | cip in the media | reports external articles | bookstore | mailing list | contact us | @twitter | iraqi daily al-sabah al-jadid |